Unioni i Nxënëve të Maqedonisë së Veriut: Kërkesë publike drejt Ministrisë së Arsimit

Shpërndaje

Drejtuar Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Arbër Ademi

Të nderuar,

Unioni i Nxënëve të Maqedonisë së Veriut ju informon se çdo fillim viti shkollor nxënësit përballen me probleme të shumta që pengojnë vijimin normal të procesit arsimor, siç janë:

– Mungesa e rreth 20% të librave shkollorë;

– Gabimet e shumëta në librat shkollorë;

– Në kundërshtim me ligjet aktuale në fuqi, librat shkollorë janë në qarkullim për më shumë se 5 vite;

– Mungesa e literaturës përkatëse në shkollat e mesme profesionale;

– Mungesa e korelacionit midis programeve mësimore dhe lëndëve mësimore;

– Nxënësit blejnë nga profesorë të caktuar libra dhe fotokopjojnë disa të tjera, edhe përkundër promovimit se librat jepen falas.

Unioni i Nxënësve të Maqedonisë së Veriut kërkon që këtyre problemeve t’u jepet një zgjidhje e menjëhershme dhe e qëndrueshme e që këto çështje mos na rishfaqen çdo shtator.

Unioni i Nxënësve të Maqedonisë së Veriut shpreson që Ministria e Arsimit dhe Shkencës do e shqyrtojë këtë problematikë tashmë të vjetër me seriozitet dhe në mënyrë efikase dhe do investojë kohë e mund që këto probleme të jenë të kaluara. Nëse këto kërkesa vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër, Unioni i Nxënësve të Maqedonisë së Veriut do ndërmarrë hapa tjera demokratike për zgjidhjen e këtyre problemeve, duke mos përjashtuar në asnjë moment as bojkotin e organizuar të procesit arsimor si dhe protestave të nxënësve.