Aksion i madh policor në gjithë Kosovën

Shpërndaje

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka konfirmuar se në këto momente është duke u zhvilluar një operacion i Policisë së Kosovës në disa regjione, raporton Gazeta Express.

Ai nuk ka bërë publike se në cilat qytete është duke u zhvilluar aksioni policor por ka thënë se është operacioni i ngjashëm me atë që është zhvilluar para disa muajve në disa pjesë të Kosovës përfshirë edhe veriun e vendit kundër kontrabandës.

“Mundem me konfirmu që prej orëve shumë të hershme të mëngjesit është duke u zhvilluar një operacion policor në disa regjione dhe në disa qytete të Kosovës. Me çka ka të bëjë nuk mundem me bë publike për arsye se mundem me pengu zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtij operacioni”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

Ai për Express ka thënë se operacioni pritet të përfundojë rreth orës 12 të ditës, pasi që ka filluar në orën 5 të mëngjesit.

“Është duke u zhvilluar në 4-5 regjione nga 8 sa janë gjithsej por për detaje pas përfundimit të operacionit sepse besoj që operacioni do të përfundojë në orën 12 të mesditës, sepse ka filluar në orën 5 të mëngjesit. Me përfundimin e këtij operacioni si çdo herë tjetër do të njoftojmë me kohë ose përmes komunikatës ose përmes konferencës për media. Sikur herën e fundit që kemi thirrur konferencë. I njëjti operacion është duke u zhvilluar”, ka thënë Krasniqi.