Shqipëria ka yllin e vet por i duhet një emër, fizikania bën thirrje për ndihmë (Foto)

Shpërndaje

Tanimë edhe Shqipëria ka yllin e vet. Fizikania Mimoza Hafizi ka bërë njoftimin e bukur në facebook ku edhe bën thirrje për të gjithë që të kontribuojnë në emërimin e tij.

Ylli i Shqipërisë është treguar me shigjetë në këtë foto, marrë përmes teleskopit tonë.

Ç’është ky yll?

Këto muaj po zhvillohet një fushatë botërore për emërtimin e disa planetëve jashtë Sistemit Diellor dhe yjeve, rrotull të cilave ato sillen.

Çdo shteti i është vënë në dispozicion një i tillë. Ky që shfaqet në foto, me emrin teknik HD 82886, i është lënë Shqipërisë.

Ylli ndodhet 416 vite-dritë larg nesh, në konstelacionin e Luanit të Vogël. Rreth tij sillet një planet qindra herë më i madh se Toka, pra ngjan me Jupiterin, planetin gjigant të Sistemit Diellor. Planeti është zbuluar në vitin 2011.

Ne shqiptarët, pra, kemi të drejtë t’i japim emrat që duam yllit HD 82886 dhe planetit rrotull tij. Të jenë dy emra të lidhur me kulturën, historinë apo edhe gjeografinë e vendit tonë.

Bashkë me një grup studentësh të fizikës, dëshirojmë të nxisim një proces, ku të marrë pjesë çdo shqiptar që ka ide e dëshiron të kontribuojë.