Anëtarësia kërkon Hazbi Likën për kryetar të BDI-së, Bujar Osmani mbron Ali Ahmetin

Shpërndaje

Dobësimi i vazhdueshëm i partisë, shërbimi lojal ndaj partive maqedonase në pushtet duke harruar fare interesat e shqiptarëve, si dhe dështimi për të zbatuar premtimet parazgjedhore, është shkaku pse brenda BDI-së po rriten kërkesa që Ali Ahmeti të largohet nga posti i kryetarit dhe në kongresin e ardhshëm vendin të ja lëshojë Hazbi Likës, njoftojnë burime partiake.

Në një brifing të mbajtur në Tetovë me gazetarë të mediumeve të pavarura, ku nuk janë ftuar gazetarë të mediumeve të afërta me BDI-në, ata kanë sqaruar shkaqet pse kërkojnë ndryshime në kreun e partisë.

“Ne kemi respekt për Ali Ahmetin, por figurën e tij e harxhuan bashkëpunëtorët e afërt. Duke u përfshi në afera e skandale të ndryshme, ata e sollën Ahmetin në situatë që të mos mund të reflektojë e as të zhvillojë politika të pavarur, por vetëm të zbatojë me dëgjueshmëri politikat e partive maqedonase në pushtet. Ne si bashkëluftëtarët dhe bashkëpartiakë të tij mendojmë se është më së miri që Ahmeti të largohet nga posti i kryetarit dhe të rreshtohet pas Hazbi Likës. Këtë e kërkon edhe shumica e anëtarësisë partiake”, kanë thënë të njëjtat burime në brifingun me gazetarë, duke dashur që për momentin të mbeten anonimë, deri ne zyrtarizimin e plotë të kërkesave para opinionit.

Brifingu është mbajtur sot pasdite, në të njëjtën kohë kur ka filluar mbledhja e kryesisë së BDI-së në Reçicë të Vogël.

Para fillimit të kësaj mbledhje, zëdhënësi i partisë Bujar Osmani i dyshuar zyrtarisht prej PSP-së për korrupsion te rasti “Pacienti”, i ka dalë në mbrojtje kryetarit aktual Ali Ahmeti. Ai tha se Ahmeti i duhet edhe më tej partisë./gazetalajm/