Në Maqedoninë Veriore ka vdekur koha e proceseve të montuara kundër shqiptarëve

Shpërndaje

NË MAQEDONINË VERIORE KA VDEKUR KOHA E PROCESEVE TË MONTUARA DHE EKSPEDITAVE NDËSHKUESE KUNDËR SHQIPTARËVE

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Faktori politik shqiptar, klasa intelektuale (për aq sa është dhe si është), mediat dhe qytetarët, duhet të ketë shumë kujdes gjatë kësaj periudhe kur edhe vetë presidenti i këtij shteti paralajmëron se mund të ketë turbulenca në Maqedoninë Veriore.

Për aq më tepër kur disa media në gjuhën maqedonase, të njohura për propagandën e tyre kundër shqiptarëve, kanë filluar t’i zgjojnë lugetët e shovinizmit kundër shqiptarëve, kinse ata janë fajtorë për dështimin e reformave të qeverisë aktuale dhe pengesë në procesin e integrimit të shtetit, anëtarësimin në NATO dhe marrjen e datës nga BE.

Testimi i parë për “gëlltitjen e propagandës” nga mediat dhe qytetarët shqiptarë e të tjerë u zhvillua me aksionin kundër “kontrabandës me duhan” në katundin shqiptar Luboten të Shkupit, ku pa nevojë u angazhuan njësi speciale të policisë të pajisura me armatim të rëndë, sikur të bëhej fjalë për ndonjë aksion antiterrorist, jo për një aksion të zakonshëm të policisë financiare të shtetit për ndjekjen, ndalimin e prodhimit dhe tregtisë së paligjshme.

Këto ditë, mediat në gjuhën maqedonase të afërta me nëntokën politike dhe kriminale, siç lënë të nënkuptohet, e përgatinin terrenin për aksione me përmasa të gjera kundër shqiptarëve, ndërhyrjen me forcë dhe ekspedita ndëshkuese mbi vendbanimet e tyre, me të njëjtën filozofi siç kanë vepruar gjatë tri dekadave të kaluara.

Nuk ka dyshim se edhe ndonjë qytetar shqiptar mund të jetë implikuar në punë të pista, kontrabandë dhe krim të organizuar, në rrjete të drogës dhe gjithfarë lloji të veprimtarive joligjore, por një gjë duhet të dihet dhe thuhet hapur se, të gjitha këto aktivitete të cilat edhe mund ta kenë dëmtuar interesin e shtetit dhe të qytetarëve të vendit nuk janë koordinuar asnjëherë nga ndonjë qendër politike dhe interes kombëtar të shqiptarëve, por nga qendra dhe agjentura të huaja me filialet e tyre brenda vendit, për të cilat organet e pushtetit dhe ato të sigurisë kombëtare duhet të mbajnë llogari, të ndërmarrin masa të duhura dhe në kohë.

Çfarëdo aksioni i pakontrolluar me njësi speciale të policisë në vendbanimet shqiptare dhe mbi qytetarët shqiptar në Maqedoni, kinse për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe ruajtjen e sigurisë në vend, nuk mund të pijnë ujë sot, siç kanë mundur të kamuflohen në të kaluarën, për kapjen peng të disa drejtuesve shqiptarë të pushtetit dhe të partive politike të tyre, për komprometimin e lëvizjes politike të shqiptarëve dhe paraqitjen e shqiptarëve para botës si element turbullues, i rrezikshëm, siç kanë qenë rasti i Brodecit, Monstrës, Kumanovës dhe disa raste të tjera.

Qytetarët shqiptarë në Maqedoni mjaft kanë ngrënë “propagandë dhe barë” të servuar nga propaganda e pushtetit dhe disa partive politike, tani është koha për të dhënë llogari për gabimet, dështimet dhe krimet ndaj shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë në periudhën e kaluar, jo të krijohen pretekste e afera, montohen procese të reja përmes të cilave mund të implikohen dhe ndëshkohen qytetarët e pafajshëm shqiptarë.

Në lidhje me këto veprime në të kaluarën dhe tendencat për vazhdimin e mundshëm të tyre, të orientuara kundër shqiptarëve, është diskutuar edhe me kryeministrin aktual të Maqedonisë Veriore, në takimin me grupin e intelektualëve shqiptarë, më 30 gusht 2017, me qëllim të zbardhjes dhe zgjidhjes së proceseve të montuara nga regjimi i mëparshëm, si dhe të ndërmerren masa përkatëse për parandalimin e aksioneve policore të pakontrolluara dhe ekspeditave ndëshkuese kundër shqiptarëve dhe vendbanimeve të tyre, në emër të “terrorizmit” dhe “fundamentalizmit” përmes ndonjë grupi kriminal, apo individëve të lidhur me veprimtari të paligjshme, me të cilët asgjë nuk i lidh shumicën e qytetarëve shqiptarë, por individë të caktuar, kryesisht persona të afërt me shërbimet sekrete dhe nëntokën kriminale, të cilat nuk njohin përkatësi kombëtare dhe fetare, prandaj veprimet e tilla nuk mund t’u faturohen vetëm shqiptarëve.

Me pretekste të krijuara nga qendra të caktuara të propagandës, organizimi i ekspeditave ndëshkuese përmes njësive speciale të policisë, me përmasa të gjera kundër shqiptarëve dhe vendbanimeve të tyre, jo vetëm procesi i integrimeve euroatlantike, por edhe e ardhmja e këtij shteti do të rrezikohej seriozisht. Këtë e dëshirojnë vetëm disa forca politike destruktive dhe armiqësore në vend dhe jashtë tij, të lidhura kryesisht me shërbimet e huaja sekrete, jo edhe me qytetarët e vendit, sidomos shqiptarët.

(6 shtator 2019)