Kurti i përzgjedh dy poezi për 8 Mars

Shpërndaje

Me rastin e festës së 8 Marsit, Kryeministri i vendit Albin Kurti ka marrë pjesë në dy marshe në Prishtinë si dhe në organizimin “Himn për Gruan”.

I ftuar ta lexojë një poezi, Kurti i ka përzgjedhur dye ato janë: nga Luljeta Lleshanaku dhe Mimoza Ahmeti.

NJERIU PA TOKË

Unë jam njeri pa tokë,

gjithçka që kam

është e shkruar pjerrtas në fytyrë

një “fragile” mbi pakot e transportit midis festave.

Kurse gjyshi im merrte e jepte me pronën e tij

si bisha me grackën

pa përfshirë një të tretë në sfidë.

Ishte duel xhentëlmenësh

Lojë pa hile, pa befasi, me raunde të rregullta armëpushimi midis

e pa plagë të vogla; ajo të merr të gjithin.

Hapat e tij ishin të mëdhenj. Shikimi një bimë mishëngrënëse

një zonë e pastër nga insektet dhe dyshimet.

E kur toka që e para që e la

ai pa tradhtinë e ndodhur ndërkohë pas shpinës së tij:

se si mani hidhte hije mbi oborrin e fqinjit

si e shoqja kishte hequr një çorape mllefi para se të vdiste

dhe djemtë po i plakeshin pa u martuar.

Im gjysh nuk ndërtoi një kullë. Zgjodhi gjuhën horizontale

për të folur me zotin: bleu tokë pafund. Bleu vazhdimësi

dhe gjithsesi blasfemoi

kur i ishte thënë qartë:

“ti nuk ke fuqi për të menduar (të mendosh) të nesërmen!” Unë jam ndryshe; jam njeri pa tokë

dhe asgjë nuk ndodh pas shpinës sime.

unë jam gjithmonë në kohën e duhur –

gazeta e lagur e ditës

që i ngjitet të parit kamion që shkon rrugës.

ËSHTË ÇUDI KUR JE FEMËR

Mua tani më vjen për të qarë.

Më duket sikur shkarkesa yjesh më janë grumbulluar te sytë.

Dot nuk duroj,

ndërsa çengelat e nervave nderas tërhiqen

kundrejt njëri-tjetrit.

Kangur me foshnjën në xhep

duket figura ime së largu

këtu në bregdet.

Më vjen për të qarë.

Jam bërë barrë.

Me siguri molusqet e buta tani

lëvizin kapakët e fortë brenda ujit

dhe kandilet e kuq

kushedi ç‘udhëtim te mahnitshëm

kanë marrë

Është çudi kur je femër…

E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn

e shkatërron!

Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat

e mohimit…

Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,

me sytë e mëdhenj plot hije

pret një vazhdim, një lindje fëmije

buzë detit ku i vjen për te qarë, për të qarë,

ngaqë se si është, është me barrë.

Në ato orë të ditës kur molusqet e buta

hapin kapakët e fortë brenda ujit

dhe kandilet e kuq

kushedi ç‘udhëtim të mahnitshëm kanë marrë…