Pendarovski: Me kujdes e ndjekim situatën, krerët evropianë e vizitojnë kufirin turko-grek

Shpërndaje

Nuk ka rritje të numrit të emigrantëve në kufirin grek, por vendi ynë është i gatshëm për çdo situatë. Kështu deklaroi Presidenti dhe komandant suprem Stevo Pendarovski pas vizitës së sotme në Gjevgjeli të pjesëtarëve të Policisë dhe të Armatës të cilët e sigurojnë kufirin tonë jugor. Ata ishin për vizitë edhe në Qendrën Transitore ku bëhet regjistrimi i emigrantëve.

“Deri në këtë moment nuk ka kurrfarë rritje të numrit të emigrantëve ilegalë, përveç asaj që është e zakonshme për këtë periudhë të vitit. As nuk ka kurrfarë shenjash për ndonjë valë e cila këtyre ditëve do të shkojë drejt territorit tonë dhe është e qartë se presioni më i madh është në kufirin turko-grek. Të gjitha organet kompetente janë këtu dhe me shumë kujdes analizojnë dhe i shkëmbejnë informata. Kështu që praktikisht nuk mund të shoh ndonjë situatë për të cilën duhet befasuar”, deklaroi Pendarovski.

Për rritjen e sigurisë në kufirin jugor, foli edhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska. Ajo tha se tashmë janë të përgatitur për çdo skenar të mundshëm dhe se nga dje është rritur edhe numri i forcave të Policisë dhe të Armatës.

“Ju e dini se në kufirin tonë ka rreth 130 policë të huaj, policë nga vendet-anëtare të BE-së dhe ne dje, në Komitetin Drejtues, vendosëm që të kërkojmë nga të gjitha këto vende ta vazhdojnë angazhimin e tyre. Në pajtueshmëri me situatën në terren dhe komunikimin tonë me kolegët e rajonit, por edhe me FronteksIN, do t’i sjellim vendimet e nevojshme. Por, nga dje numri i forcave është rritur”, theksoi Shekerinska.

Në ndërkohë nuk ka ndryshim në kufirin turko-grek, tensionet vazhdojnë. Është regjistruar viktima e parë, pasi dje në fëmijë sirian u mbyt si rezultat i përmbysjes së një anije në të cilën kishte 47 emigrantë. Grekët gjithnjë e më shumë e humbin durimin dhe ndërmarrin masa brutale për t’i kthyer emigrantët të cilët po tentojnë të hyjnë në Greqi me çdo kusht.

Gjatë ditës së sotme për vizitë në kufirin turko-grek ishin edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishel, kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasoli, si dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, si vend i cili kryeson me Bashkimin Evropian.(koha.mk)