Rasti “Monstra”, peshkatari Vellkovski: Këta djem nuk ishin në vendin e ngjarjes, për herë të parë po i shoh

Shpërndaje

“Këta djem që janë këtu, për të parën herë po i shoh. Këto persona nuk ishin në vendin e fatkeqësisë”. Kështu deklaroi Zoran Vellkovski, peshkatar i cili më 12 prill të 2012-ës kur ka ndodhur rasti “Monstra”, ka rastisur që po atë mbrëmje të shkoj tek liqeni për peshkim me fqinjët e tij dhe kështu u shpreh duke ju referuar të akuzuarve për këtë rast, raporton SHENJA.

“Unë nuk i frikësohem askujt dhe nuk kam për qëllim të fsheh diçka por vetëm ta them të vërtetën. Këta djem nuk ishin në vendin e ngjarjes. Ishin 2 ose 3 persona të tjerë, por ishte shumë errësirë nuk mund ti përshkruaj, megjithatë nëse i shoh tani ndoshta mund ti kujtoj”.

Ai deklaroi se të shtrirë në tokë e kanë parë vetëm një person, por duke sqaruar se përshkak që ka qenë natë dhe errësirë nuk kanë mundur të shohin mirë. Vellkovski më tej tregoi se me dy fqinjët e tij, rreth orës 10 të mbrëmjes, më 12 prill 2012, kanë vendosur që të shkojnë për peshkim në liqenin e Smillkovës, dhe pasi kanë parë një veturë dhe në distancë prej 50 metrash kanë arritur të shohin një person të shtrirë në tokë, fytyrën dhe trupit nuk kanë mundur të ia shohin, por ajo që u ka rënë në sy kanë qenë atletet e tij “Nike”, pastaj janë larguar prej aty dhe rastin e kanë paraqitur në polici, pas çka siç u shpreh, ka ardhur një polic pa uniformë dhe ata e kanë shoqëruar deri në vendin e ngjarjes.Emine Ismaili /SHENJA