Taravari: Qytetarët të hyjnë në web faqen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe të shohin se a janë të regjistruar apo jo

Shpërndaje

Sekretari i përgjithshëm i ASH-së Arben Taravari duke folur për zgjedhjet e 12 Prillit ka apeluar tek qytetarët që të hyjnë në web faqen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe të shohin se a janë të regjistruar apo jo, gjë që mund ta bëjnë deri më 11 prill.

Ky është mesazhi i tij drejtuar qytetarëve:Ndodhemi 38 ditë para ditës kur do të ndodhë ndryshimi te shqiptarët, para 12 prillit, jemi me aktivitetet tona në terren në vend dhe në diasporë me mërgimtarët, ku shohim një impakt shumë pozitiv, një gadishmëri të madhe nga ana e tyre që më 12 prill së bashku ta bëjmë ndryshimin, ndryshmi që për 18 vite pritet nga shqiptarët, ndryshim që nuk ka ndodhur prej 2002 tek pala shqiptare. Gjithashtu e shfrytëzoj rastin që t’ju uroj edhe atyre të cilët tashmë i kanë mbushur 18 vjet, e që do të kenë të drejtën për herë të parë të votojnë, bile ata do ta kenë edhe një privilegj që duke votuar për herë të parë të bëjnë edhe ndryshimin tek shqiptarët të përfaqësuar në qeveri.

Deri tash ka pasur shumë raste ku shumica e qytetarëve nuk e kanë ditur se a janë të regjistruar në listat zgjedhore, prandaj u apelojmë të gjithë qytetarëve që të hyjnë në web faqen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe të shohin se a janë të regjistruar apo jo, gjë që mund ta bëjnë deri më 11 prill. I lus që ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të mos mbetet për ditën e zgjedhjeve.

Ne kemi angazhuar edhe tre numra të telefonit për njerëzit të cilët kanë nevojë për shërbime logjistike, thjesht nëse nuk e gjejnë dot vetveten këto janë në dispozicion që t’ju ndihmojnë dhe të evitohen problemet e mundshme. Gjithashtu e shfrytëzoj rastin që t’ju informoj, por edhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut se tash më pasi u bë koalicionimi LSDM-BESA, anëtarët e komisioneve zgjedhore përbëhen pre dy anëtarëve të partive politike maqedonase dhe dy të partive shqiptare. Partitë shqiptare që i kanë anëtarët e komisionit janë të BDl-së dhe anëtarët që i kishte Lëvizja BESA, me automatizëm u takojnë (shpresoj) opozitës shqiptare, e kjo është Aleanca për Shqiptarët, ne për këtë e kemi dërguar kërkesën tonë në KSHZ dhe shpresoj që sot ose nesër të marrim përgjigje.

Gjithashtu i kemi informuar edhe pjesëtarët e OSBE-ODIHR-it dhe presim prej atyre që zyrtarisht Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, si pjesë e koalicionit t’i dorëzojnë emrat e tyre për anëtarë të komisionit. Të gjitha këto emra do të dorëzohen edhe në komisionet komunale, por gjithashtu edhe në KSHZ.