Presidenti Thaçi me një thirrje për kryeministrin Kurti

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që qeveria që ai udhëheq, t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ai ka shprehur shqetësimin se komunat e veriut të Kosovës nuk po funksionojnë nën mekanizmat e qeverisë së Kosovës.

“Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër tjera Thaçi.

Postimi i tij i plotë:

Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë.

Të gjitha masat e ndërmarra nga institucionet shëndetësore dhe ato të rendit e ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrë të sigurohet që të zbatohen anekënd territorit të Republikës së Kosovës.

Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës.

I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. HTH