​“Edhe sa Zhleba e Çakorra duhen për liberalizim të vizave”

Shpërndaje

Në Ditën e Evropës dhe 70-vjetorin e themelimit të Bashkimit Evropian aktivistë të organizatës “Lëvizja Politike” përmes një aksion simbolik para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, kanë paraqitur pakënaqësitë për mos liberalizim të vizave për kosovarët.

Me moton “Deri kur do të jetë distanca sociale e BE-së për qytetarët e Kosovës?”, “Kur liberalizohen vizat?”, “Cilat janë vlerat e BE-së?”, “Cili është çmimi që duhet me paguar qytetarët e Kosovës, për të pasur lëvizjen e lirë?” ata shprehën zhgënjimin e tyre karshi BE-së.

Aktivisti, Bekim Ibishi thotë se ndonëse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të gëzuar liberalizimin e vizave kjo e drejt qytetarëve kosovar ende po u mohohet.

“Sot është dita e Bashkimit Evropian ku me ç’rast kemi vendosur ta marrim një aksion simbolik ku i kemi paraqitur pakënaqësitë tona dhe zhgënjimin tonë pasi që i kemi përmbushur 94 kriteret dhe kemi vendosur që t’i themi Bashkimit Evropian edhe sa Zhleba dhe Çakorra duhet për të na i liberalizuar vizat. Është një prej sloganeve tona sot në Ditën e Evropës. Sot qytetarët e Evropës e kanë parë se çka do thotë izolimi nga një virus që është fuqi natyror që nuk janë njerëzore, ndërsa ne kosovarët qytetarët e Kosovës jemi të izoluar nga vetë ata. Po ashtu edhe ne jemi të izoluar nga virusi por izolimi për ne nuk do kaloj edhe pasi të kaloj virusi”, tha ai.

Edhe Blendon Arifi thotë se përmes këtij aktiviteti simbolik duan të shprehin revoltën për mos liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai thotë se edhe të rinjtë kosovarë duan që të jenë të barabartë me shtetet e tjera me qëllim që të lëvizin lirshëm.

“Po e mbajmë këtë aktivitet simbolik për t’iu treguar juve se ne si një rini aktive duam të jemi të barabartë me të gjitha rinjtë dhe të rinjtë e shteteve të Evropës. Ne sot e kemi bërë edhe këtë pllakat apo slogan të organizatës tonë. Kjo pandemi globale e ka kapluar gjithë botën dhe të gjithë janë të izoluar, dhe po ashtu kufijtë e të gjitha shteteve janë të mbyllur”, u shpreh Arifi./KP/