Anton Quni flet pas nominimit të Hotit për kryeministër dhe qëndrimin e Osmanit në LDK

Shpërndaje

Ministri në detyrë i Mbrojtjes dhe anëtari i Kryesisë së LDK’së, Anton Quni, ka sqaruar abstenimin e tij në mbledhjen e LDK’së kur është përcaktuar për Avdullah Hotin kryeministër. Quni në një intervistë për Gazetën Express tha se ka propozuar disa emra tjerë për të cilët ka pasur bindjen se mobilizimi i LDK’së rreth atyre personaliteteve do të ishte më i fuqishëm. Ai po ashtu u shpreh i bindur se Vjosa Osmani do të vazhdojë të jetë pjesë e LDK’së. Quni tha po ashtu se është i gatshëm të jetë përsëri ministër në Ministrinë që aktualisht e drejton, nëse këtë ia beson partia.
Anton Quni, në garën për deputet të LDK’së në zgjedhjet e 6 tetorit, kishte arritur të jetë i treti në listë, pas Vjosa Osmanit e Kujtim Shalës, duke grumbulluar 31 mijë e 731 vota.

I pyetur lidhur me pozicionin për emrin e Avdullah Hotit për kryeministër dhe deklaratën e nënkryetarit Lutfi Haziri dhënë në Pressing të T7, ku tha se s’ka besuar se Hoti do të pranonte pozitën e shefit të qeverisë, Ministri Quni tha se përkundër qëndrimit të tij abstenues, e ka respektuar qëndrimin e shumicës.

“Jo çdo herë jemi të gjithë të një mendimi, por pas shterjes së argumenteve rreth opsioneve dhe mundësive të tjera, tema artikulohet dhe merr kahje duke e respektuar qëndrimin e shumicës. Në këtë frymë, përkundër qëndrimit tim abstenues, dua ta potencoj përfundimisht se unë e respektoj qëndrimin e strukturave vendimmarrëse për nominimin e profesor Hotit për kryeministër”, ka thënë Quni.

Anëtari i kryesisë së LDK’së tha se është e vërtetë që në mbledhje ka listuar disa emra tjerë, për të cilët mobilizimi i LDK’së do të ishte më i fuqishëm.

“Unë nuk kam shprehur asnjë dyshim në drejtim të asnjë personaliteti të LDK’së. E vërteta është që i kam listuar disa emra, për të cilët kam menduar se ia vlejnë të merren në konsideratë edhe për faktin që kisha bindjen se mobilizimi i LDK’së rreth atyre personaliteteve do të jetë më i fuqishëm”, shtoi Quni.

Ministri aktual i Mbrojtjes foli edhe për koalicionin e LDK’së me AAK’në dhe Nismën, ku partia që ai i takon do të jetë udhëheqëse e qeverisë se ardhshme, nëse për këtë vendos Gjykata Kushtetuese.

Ai u shpreh i bindur se LDK’ja do të qeverisë denjësisht në cilindo format qeverisës me kuadrot që përfaqëson.

“Jam i bindur se çdo kuadër i LDK’së, në cilindo format qeverisës, me këdo dhe në çfarëdo rrethanash, me cilatdo përgjegjësi që marrin për t’iu shërbyer qytetarëve dhe shtetit, do të tregojnë performancë të lartë dhe do të shërbejnë me përkushtim të madh”, tha ai.

Quni po ashtu tha se ministria të cilën e drejton është e një rëndësie të veçantë dhe si e tillë edhe në qeverinë e re duhet t’i takojë LDK’së.

“Ministria e Mbrojtjes është e rëndësisë së veçantë si një ndër faktorët e forcimit të paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, prandaj si e tillë do të duhej të jetë nën interesimin dhe përkushtimin e veçantë të LDK’së”, tha ai.

Ish-komandanti i Koshares u shpreh i gatshëm që sërish ta udhëheqë këtë ministri nëse partia ia beson këtë.

“Unë jam i gatshëm që t’i pranoj përgjegjësitë si Ministër i Mbrojtjes, nëse të njëjtën ma kërkojnë dhe ma besojnë autoritetet e LDK’së”, u shpreh Quni.

Tutje, Quni foli edhe për ish-kandidaten për Kryeministre të LDK’së, Vjosa Osmani, kur u pyet se a beson që Osmani do të vazhdojë rrugëtimin e saj politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Anëtar i Kryesisë së LDK’së u shpreh i bindur se përkundër spekulimeve, Vjosa Osmani do të mbetet në LDK.

“Përkundër spekulimeve të shumta që krijohen në situata që kanë kundërthënie apo qëndrim ndryshe të akterëve në subjektin politik, unë jam i bindur se zonja Osmani do të mbetet brenda familjes së LDK’së. Rrugëtimi i LDK’së do të vazhdojë të na bashkojë të gjithëve”, tha ai.

Quni po ashtu deklaroi se ata që presin ndarje të LDK’së do të mbesin të zhgënjyer.

“Të gjithë ata që presin një fragmentarizim tonin, mundem vetëm të ju bëjë të ditur se kot ushqehen me shpresën se do ta dobësojnë LDK’në dhe rolin e saj në forcimin e Republikës së Kosovës. Ne do të qëndrojmë të bashkuar dhe të unifikuar përreth programit dhe vlerave të djathta përëndimore, në të cilat besojmë dhe me të cilat ne zhvillojmë politikat tona programore dhe është boshti që na bashkon neve në LDK”, përfundoi Quni.