PËR “MIQTË” E JASHTËM DHE “ARMIQTË” E BRENDSHËM TË SHQIPTARËVE

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Pse investohet kaq shumë nga jashtë për destabilizimin e Shqipërisë dhe të Kosovës, mbajtjen nën kontroll të shqiptarëve në atdhe dhe mërgatë, çorientimin e çështjes së pazgjidhur kombëtare dhe dobësimin e faktorit shqiptar në rajon?

Çështja e interesave gjeostrategjike dhe gjeopolitike e fuqive të mëdha të botës, ndodhja e shqiptarëve mes dy qytetërimeve, atij Lindor dhe Perëndimor, i plotësojnë dhe ndërlikojnë edhe më tepër ndikimet e jashtme mbi shqiptarët, në nivel kombi dhe të shteteve, për të cilat duhet një analizë tjetër më e hollësishme dhe qasje e gjithanshme.

Por, pse shtetet fqinje investojnë kaq shumë, miliarda dollarë nga buxhetet e tyre speciale dhe fondet e zeza, në forcimin e rrjeteve të agjenturave dhe shtrirjen e influencës së tyre mbi shqiptarët, kryesisht përmes mercenarëve vendës (shqiptarë dhe të tjerë), si në politikë, ekonomi, kulturë dhe sidomos në institucionet dhe klerin fetar? Këtë, sigurisht nuk e bëjnë për inat të shqiptarëve vendës, por, në radhë të parë për shkak të sigurisë dhe politikave të brendshme në shtetet e tyre.

Çfarë mund të ndodhë me Turqinë, nëse milionë shqiptarë vendës (arnautë, afër çereku i banorëve të sotëm) brenda atij shteti zgjohen dhe rikthehen fuqishëm në identitetin e tyre kombëtar të natyrshëm, si shtetas të Turqisë, por me përkatësi kombëtare shqiptare, me gjuhë, kulturë, tradita dhe shkolla në gjuhën amtare?

Çfarë mund të ndodhë me Greqinë, nëse miliona shqiptarë vendës, arvanitasit që përbëjnë mbi gjysmën e popullsisë aktuale të këtij shteti, zgjohen dhe rikthehen në identitetin e tyre kombëtar të natyrshëm, si shtetas të Greqisë, por me përkatësi kombëtare shqiptare, me gjuhë, kulturë, tradita dhe shkolla në gjuhën amtare?

Çfarë mund të ndodhë me Serbinë, nëse qindra mijë shqiptarë vendës, që përbëjnë mbi çerekun e popullsisë aktuale të këtij shteti, zgjohen dhe rikthehen në identitetin e tyre kombëtar të natyrshëm; shqiptarët e asimiluar në boshnjakë të Sanxhakut dhe shqiptarët ortodoksë të serbizuar gjatë dy shekujve të fundit? Përveç kësaj, duke pasur parasysh se sa territore etnike shqiptare i ka okupuar Serbia, përkatësisht Jugosllavia, gjatë shekujve XIX dhe XX?

Çfarë mund të ndodhë me Bullgarinë, e cila historikisht pretendon të krijojë shtet të dytë të vetin në Maqedoni, nëse qindra mijëra shqiptarë ortodoksë dhe vllahë në Maqedoninë Verore, zgjohen dhe rikthehen në identitetin e tyre kombëtar të natyrshëm, të lodhur nga okupimet e egra dhe sundimet shkombëtarizuese, herë serbe e herë bullgare, gjatë shekullit të kaluar?

Çfarë mund të ndodhë me shqiptarët në rajon, kur teknologjitë moderne secilit i mundësojnë vërtetimin shkencërisht të prejardhjes përmes analizës së ADN-së; me krijimin e mundësive për qasje në arkivat e mbyllur deri më sot, nëse e kuptojnë realitetit se, shqiptarët janë i vetmi popull autokton në këto hapësira, jo me qëllim të mohimit dhe ngushtimit të hapësirës së jetesës të popujve të tjerë fqinj të sotëm, por për hir të së vërtetës historike të falsifikuar dhe përvetësuar nga ata?

Përderisa secili nga këto shtete investojnë shuma të mëdha për sigurinë dhe stabilitetin e tyre të brendshëm, investimi në dobësimin e faktorit shqiptar në rajon, nxitja e përçarjes mbi baza politike, ideologjike, partiake, rajonale dhe fetare, si dhe mbajtja nën kontroll e zhvillimeve politike, ekonomike dhe kulturore ndër shqiptarët brenda hapësirës etnike, këtyre shteteve u kushton shumë më lirë, ndërsa kjo betejë është shumëfish më e lehtë për këto shtete duke marrë parasysh rrethanat në të cilat kanë mbijetuar shqiptarët, të ndarë e copëtuar mes disa shteteve dhe të sunduar nga regjimet vendëse jodemokratike, të orientuar nga elitat politike dhe fetare të korruptuara, të gatshme për bashkëpunim me çdo armik të jashtëm, për pushtet dhe interesa personale.