TË RROJË PARTIA, PA ÇKA SE NA MUNGON SHTETI LIGJOR, DREJTËSIA DHE LIRIA!

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Në një shtet të kapur siç është Maqedonia Veriore, jo që mund të ketë zgjedhje të lira e demokratike, por mund të ndodhë përmbysje e madhe e demokracisë dhe pluralizmit, për t’u zëvendësuar me pushtet absolut, oligarki dhe diktaturë, të kamufluar mjeshtërisht nga mediet e pushtetit, që lirinë e fjalës dhe mendimin ndryshe e cilësojnë si atak ndaj pushtetit dhe interesave të shtetit, duke vënë perde të hekurt mbi ato, mes të vërtetës dhe mashtrimit.

Përderisa partitë politike kanë filluar t’i promovojnë edhe idetë e ambiciet personale të liderëve të tyre, si vlera të demokracisë dhe interesa të përgjithshme të qytetarëve, pa i pyetur ata, gjithnjë e më tepër rritet pakënaqësia te votuesit, që do ta sjellë në pikëpyetje ndershmërinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut, për shkak të numrit të vogël të votave, përkatësisht, me bojkotim në heshtje të zgjedhjeve, e që pushteti domosdo do t’i falsifikojë, duke keqpërdorur rrethanat në të cilat mbahen këto zgjedhje, kur edhe faktori ndërkombëtar është fare pak i preokupuar me shtetet e vogla, përballë rrezikut global nga pandemia aktuale.

Putini ka kohë që i ka hequr çadrat nga rajoni ynë, në shkëmbim të interesave të tjera gjeostrategjike të shtetit të tij, duke lënë shumë peshq të mëdhenj të agjenturave të vjetra në baltën e përgjakur ballkanike, ndërkohë kurvat politike vendore nuk dihet se në çadrat e kujt hyjnë natën për pazare të reja politike të tyre edhe pse ditën maskohen (sipas rregullave shëndetësore, kinse) dhe dalin ditën në fushatë para qytetarëve për t’ua shitur mashtrimin e radhës, si gjithmonë në proceset zgjedhore jodemokratike, përmes listave të mbyllura të kandidatëve, ku si macja në thes shitet dhe falet gjithçka në shkëmbim të pushtetit për një grup oligarkësh dhe prangosjen e lirisë dhe të drejtave të një populli të tërë, i cili veç ka filluar të jep shenjat e fundosjes përfundimtare, kur pjesa më vitale e tij, rinia e shkolluar tanimë i ka realizuar të drejtat e veta në botën e jashtme, pak më mirë e më tepër seç u premtohen qytetarëve të vendit në fushatat parazgjedhore të partive të tyre.