Shqiptarët në Maqedoni kanë derdhur mund e gjak për ndryshimin e statusit të tyre, jo për klanet partiake

Shpërndaje

Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore

Kush dhe pse tallet me inteligjencën e shqiptarëve?!

SHQIPTARËT NË MAQEDONI KANË DERDHUR PAFUND PARA, MUND E GJAK PËR NDRYSHIMIN E STATUSIT TË TYRE, JO PËR INSTALIMIN NË PUSHTET TË KLANEVE PARTIAKE!

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Shumica e qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë Veriore, drejtuesit e partive politike të shqiptarëve, të pozitës dhe opozitës, përkrahësit dhe votuesit e tyre potencialë, mund edhe të mos pajtohen, të hidhërohen dhe kundërshtojnë, por e vërteta është e dukshme dhe dielli nuk mund të mbulohet me shoshë, kur të gjitha partitë politike të shqiptarëve që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut u bishtërojnë probleme thelbësore të trashëguara nga e kaluara dhe merren me çështje dytësore, më pak të rëndësishme. Të gjitha problemet që kanë sot shqiptarët në këtë shtet lidhen me statusin juridik-kushtetues të pazgjidhur të tyre, ndërsa problemet tjera janë rrjedhojë e moszgjidhjes së tij për tri dekada me radhë.

Edhe propaganduesit e idesë për “Iliridë”, për “federatë” e “konfederatë”, për “parlament dydhomësh”, për të drejtën e vetëvendosjes dhe të ngjashme, nga mosnjohja e problemeve dhe prirja për mashtrim ndaj shqiptarëve, duhet ta dinë se këto ide nuk përputhen me asgjë reale, përderisa shqiptarët në Maqedoninë Veriore janë pakicë (pjesë e popullit, si turqit, romët, serbët, boshnjakët etj.), sipas përcaktimeve kushtetuse dhe ligjeve aktuale edhe më keq se kaq, janë qytetarë pa identitet kombëtar, numër dhe përqindje (20%), jo popull shtetformues, popull konstituiv dhe hisedarë të shtetit, edhe pse këtë term e përdorin shpeshherë disa pushtetarë, analistë, sharlatanë të politikës dhe argatë të huaj, në vend dhe jashtë.

Çështja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përdorimi i simboleve shtetërore dhe kombëtare, çështjet e arsimit dhe kulturës, demokracia konsensuale, përfaqësimi i drejtë dhe i barabartë në organet drejtuese të pushtetit (kryetar shteti, kryeparlamentar, kryeministër etj.), ndarja e barbartë e buxhetit dhe çështje të tjera, pa zgjidhjen e drejtë të këtij statusi të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, janë vetëm hedhje hi syve, pjesë e progandës dhe marketing i ulët politik e partiak.

Ka dëshmi se faktori ndërkombëtar ka bërë dy (2) herë përpjekje serioze për zgjidhjen e kësaj nyje kryesore për sigurimin e barazisë së plotë të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, me Marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe Marrëveshjen e Prespës, ndërsa faktori politike shqiptar, si vegël në duart e pushtetit, e ka minuar, sabotuar dhe kontrabanduar këtë përpjekje (me ndihmën edhe të bandave në pushtet në Tiranë), në dëm të interesave të popullit shqiptar, të cilin tani mundohet rrejshëm ta mbrojë nga diskriminimi dhe padrejtësitë e pushtetit, nga kufizimet kushtetuese dhe ligjore për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në këtë shtet.

Për sabotimin e kësaj çështje, sjelljen e Kushtetutës diskriminues ndaj shqiptarëve, më 1991, ndryshimet e saj në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit më 2001 dhe ndryshimet kozmetike të vitit 2019, në frymën e Marrëveshjes së Prespës, pjesëmarrësit dhe votuesit nga radhët e partive politike të shqiptarëve mbajnë përgjegjësi dhe do të vijë koha të japin llogari përpara historisë.

KJO ËSHTË VIJA E MADHE që e ndanë interesin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore nga interesat e klaneve partiake aktuale, të cilat vazhdojnë edhe në zgjedhjet e 15 korrikut t’u shesin mjegulla dhe ëndrra shqiptarëve vendës, fatkeqësisht të përkrahur edhe nga megafona të paguar nga jashtë, përderisa me pjesëmarrjen e tyre në pushtetin e derisotëm nuk kanë bërë asnjë ndryshim thelbësor, punë të madhe e të dobishme, siç pretendojnë ata, me synime të qarta vetëm për t’u instaluar në pushtet, pavarësisht nga orientimi dhe qasja që kanë foktorët politik joshqiptarë në këtë shtet.