Vetëvendosje: Fillon mocioni për rrëzimin e qeverisë ‘KOTI’

Shpërndaje

Nga sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! fillon mbledhjen e nënshkrimeve për procedimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë ilegale dhe ilegjitime që po e shtynë vendin drejt një katastrofe humanitare, thanë sot në konferencë për media, Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, dhe Shefi i GP, të Lëvizjes, Rexhep Selimi, të cilët njëherit ftuan të gjitha grupet paralamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës ta mbështesin këtë mocion.

Kjo qeveri, që erdhi si rezultat i përmbysjes së vullnetit qytetar, presionit të presidentit mbi deputetë dhe votës së një deputeti që tashmë është i dënuar dhe në arrati, duhet të rrëzohet sa më parë. Përveç se ilegale dhe ilegjitime, kjo qeveri është e treguar e paaftë për të qeverisur, për të menaxhuar me efektet dhe rrezikun e pandemisë mbi ekonominë dhe jetën e qytetarëve duke treguar vetëm gatishmërinë për ta rikapur shtetin dhe për t’iu nënshtruar Serbisë, andaj ajo duhet të shkojë sa më parë, në mënyrë që vendi ta ketë një qeveri çfarë ka nevojë dhe e meriton, thanë Nagavci e Selimi në këtë konferencë.

Në fund, ata potencuan se teksti i mocionit është ende draft, dhe mund të ndryshohet në varësi të bashkëpunimit me ata që e mbështesin këtë mocion.