Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLI të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm

Shpërndaje

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot mbledhjen e XLI të organit të saj më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan shumë çështje politike dhe organizative.

Këshilli i Përgjithshëm, diskutoi mbi situatën politike në vend, për procesin e zgjedhjeve të brendshme të përgjithshme që ka filluar tashmë, si dhe trajtoi propozimet për reformë organizative e statutore.

Në pjesën e parë të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, anëtarëve të Këshillit ju drejtua Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Albin Kurti vlerësoi lart dhe si të rëndësishëm procesin e zgjedhjeve të brendshme që ka filluar nëpër qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku nëpër fshatrat e lagjet e Kosovës po votohen strukturat e reja të Lëvizjes. Kjo po dëshmon edhe se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë është e mundshme po aq sa është edhe e nevojshme.

Lidhur me situatën politike, Kryetari Kurti, ndër të tjera theksoi se ajo është e konfiguruar në formën e një rreziku të trefishtë. Rreziku i parë është pandemia, me rikthimet e saj të furishme, me efektin e saj rrënues për ekonominë dhe për shëndetin. Rreziku i dytë, është procesi i zotimeve me Serbinë, ku Avdullah Koti po shpejton të nënshkruajë gjithçka, të hapë çdo temë, duke e degraduar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe statusin e vendit tonë, si shtet i pavarur e sovran dhe rreziku i tretë që ka të bëjë me Gjykatën Speciale.

Siç kemi thënë publikisht në Parlament, po të jetë në qeveri VETËVENDOSJE!, ne do t´i mbronim luftëtarët e UÇK-së. Por Thaçi, bashkë me LDK-në e rrëzoi qeverinë tonë të mirë sepse ishte qeveri e mirë. Kush po i mbron tash ushtarët e UÇK-së? Është për të ardhur keq se si askush nga qeveria e nga presidenca, pra nga institucionet tona, nuk po e çel gojën. Edhe një herë po vërtetohet se, ata që janë korruptuar, e që janë shantazhuar, nuk mund ta mbrojnë e as nuk mund ta përfaqësojnë luftën.

Në pjesën tjetër, Këshilli i Përgjithshëm diskutoi edhe për organizimin e zgjedhjeve të brendshme të nisura javë më parë. Ky proces i rëndësishëm organizativ në një kohë kur është dyfishuar mbështetja qytetare për Lëvizjen VETËVENDOSJE! do të na fuqizojë edhe më shumë nëpër pika dhe qendra. Këshilli miratoi vendimin që autorizon ndërmarrjen e operacioneve të nevojshme zgjedhore për të mundësuar zgjedhje gjithëpërfshirëse, të drejtpërdrejta, të lira e të ndershme.

Po ashtu në këtë mbledhje u prezantuan propozimet e Grupit për reformë organizative që adresojnë ndryshime e plotësime të rëndësishme e të nevojshme organizative, të cilat do ta fuqizojnë edhe më shumë Organizatën.

Pas përfundimit të diskutimeve të vlefshme për çështje organizative, Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi diskutimin për situatën politike në vend e për domosdoshmërinë e zgjedhjeve parlamentare si zgjidhja e vetme e gjendjes së rëndë në të cilën e kanë katandisur vendin si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.