Ushtria azerbajxhanase valëviti flamurin e Azerbajxhanit në qytetin e çliruar Shusha (Video)

Shpërndaje

Ushtria azerbajxhanase valëviti flamurin e Azerbajxhanit në qytetin Shusha të çliruar nga pushtimi në Ditën e Flamurit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit publikoi një video të qytetit Shusha të cilin dje e çliroi nga pushtimi i ushtrisë armene.

Në pamjet u treguan rrugët, bulevardet dhe vende të ndryshme të qytetit të inçizuar nga drejtime të ndryshme.

Më tej në pamje mund të shihen lokacionet historike të qytetit si dhe ushtarët azerbajxhanas të cilët valëvitin flamurin e Azerbajxhanit mbi një nga ndërtesat në qytet.

“Zotëri kryekomandant, në komandën tuaj Shusha u çlirua nga pushtimi. Rroftë kryekomandanti, rroftë populli azerbajxhanas. Karabaku është Azerbajxhan”, u shpreh një nga ushtarët që fliste pranë kamerës.

Qyteti Shusha, i cili është okupuar nga forcat armene më 8 maj 1992, ka një rëndësi shumë të madhe në çlirimin e Malësisë së Karabakut. Ai ndodhet në afërsi të qytetit Khankendi, që është qyteti më i madh në rajon.

Shusha njihet si një simbol i historisë dhe kulturës azerbajxhanase dhe është vendlindja e shumë muzikantëve, kompozitorëve dhe studiuesve të shquar azerbajxhanas.