Kurti bashkëbisedon me profesorin holandez: Qeverisja e VV-së do ta rrisë besimin të qytetarët

Shpërndaje

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka njoftuar se ka bashkëbiseduar me një profesor të njohur holandez, Michiel de Vries.

“Në thelb të diskutimit ishin praktikat dhe teoritë e Qeverisjes Lokale. Unë e njoftova Prof. de Vries për përvojën tonë në qeverisjen qendore dhe lokale, për planet dhe përpjekjet tona për pjesëmarrjen sa më të madhe të mërgatës, për suksesin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet komunale në Besianë, për Qeverisjen Alternative dhe pesë shtyllat e saj, si dhe për politikat tona që do të nxisin rikthimin e trurit nga jashtë në vendin tonë.”, ka njoftuar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, për Prof. de Vries, një nga gjërat kryesore në qeverisjen lokale është ofrimi i shërbimeve.

“Shërbimet komunale më së shumti vlerësohen nga qytetarët atëherë kur ata ndihen të përfshirë në hartimin e tyre, dhe janë reflektim i nevojave të tyre. Kjo është kruciale në rastin e Kosovës.

Përmes tyre ndodh komunikimi i përditshëm ndërmjet qyetarëve dhe Komunës, dhe në varësi të saj ndërtohet edhe raporti, e në veçanti besimi, në mes tyre. Këtë të fundit, e konsideron element qenësor në qeverisje të mirë dhe të suksesshme.

Besimi i qytetarëve ndaj institucioneve qeverisëse është shumë i ulët. Kjo duhet të ndryshojë. Qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta ndryshojë këtë”, tha ai.

Ai po ashtu shtoi se politikat e qeverisjes komunale në Kosovë duhet të kenë qëllime të qarta dhe të marrin parasysh kufizimet kontekstuale të vendit.