U tha se do të bëhet, por nuk u bë! Salla “Partizani” është bërë fole për të pastrehët

Shpërndaje

“Gjatë vitit 2019-të është paraparë rikonstruimi i palestrës sportive ‘Partizani’”, deklaroi kohë më parë, kryetari i Çairit, Visar Ganiu.

“Procedura për rikonstruim është në rrjedhë, dhe punimet për rikonstruim do të fillojnë në kuartalin e parë”, tha i pari i Shkupit, Petre Shilegov.

Kështu deklaruan para 2 vjetëve dy kryetarët, por Salla e sportit Partizani në Çair që nuk është rikonstruar, por është bërë edhe më keq.

“Vite më para salla e Partizanit, ishte një arenë ku dolën kampion të mëdhenj, por sot kjo sallë ka mbetur në gjendje të mjerueshme. Ky vend tani po përdoret nga të pastrehët të cilët në mes të sallës po ndezim edhe zjarr”, njofton gazetari, Afrim Jonuzi.

Parketi i Sallës, tani ka një rol tjetër. Ai po përdoret për ngrohje, pasi aty po strehohen të pastrehët.
Salla është e mbushur edhe me goma makinash.

Kur e pyetëm tani kryetarin e Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, tha se fajin e ka pandemia.

“Po nuk e kemi paraparë pandeminë dhe prioritetet e financimit janë drejtuar në drejtime tjera, ne e kemi marrëveshjen në mes komunave me komunën e Çairit, në aspekt të asaj marrëveshje kemi bërë të gjithë dokumentacionin dokumentacion ndërtimor dhe tenderim mendoj që në këtë fazë të stabilizohen kushtet do të mund ta tenderojmë atë sallë dhe ta rekonstruojmë të gjithën”, tha Shilegov.

Kjo sallë e sportit ka mbetur prej vite në këtë gjendje, që kur u kaplua nga zjarri. Kërkuam përgjigje edhe nga Komuna e Çairit nga atje na thanë që procedura për realizimin e projektit për rekonstruimin e palestrës sportive Partizani është në rrjedhë e sipër në Qeveri.