Lajm i mirë për mërgimtarët: Dëmshpërblim 250 deri 600 euro nëse vonohet fluturimi

Shpërndaje

Në rast se ju vonohet fluturimi më shumë se tre orë në aeroportet e Maqedonisë së Veriut, atëherë çdo pasagjerë ka të drejtë të bëj ankesë dhe në bazë të ligjit ai dëmshpërblehet prej 250 deri në 600 euro.

Kjo mundësohet me ligj dhe çdo pasagjerë ankesën mund ta paraqesë në Agjencinë e Aviacionit Civil (AAC) por edhe në Inspektoratin e Tregut të Punës në Shkup. Sipas ligjit, pasagjerëve iu kompensohet dëmshpërblim nga 250 në 600 euro, nëse kompania ajrore e shtyn fluturimin për më shumë se tre orë, varësisht nga distanca e fluturimit. Për relacione deri në 1,500 kilometra, dëmi është 250 euro, deri në 3,500 kilometra dëmshpërblim është 350 euro, ndërsa mbi 3,500 kilometra 600 euro. Në rast se shtyhet fluturim që duhet të realizohet brenda natës, kompania ajrore duhet të ofrojë akomodim në hotel dhe transfer deri në hotel.

Rasti i fundit zyrtar me këtë problematikë ishte vonesa e fluturimit Shkup-Hurgada, kur në dhjetor turistë vendas e pritën aeroplanin rreth 10 orë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
AAC atëherë informoi nëpërmjet një komunikate për shtyp se udhëtarët mund të kërkojnë kompensim përkatës nëse ata konsiderojnë se të drejtat e tyre nuk janë respektuar. Në rast se udhëtarët nuk e marrin shërbimin, për marrëveshjen e lidhur, atëherë, ankesa dërgohet te Inspektorati shtetëror i tregut dhe siç thonë ata, paratë duhet t’i kthehen palës së dëmtuar brenda tre ditësh. (INA)