Në Speciale ka pasur urdhër për fshirjen e kompjuterave

Shpërndaje

Prokurorët Vilma Ruskoska dhe Lubomir Joveski ende heshtin dhe nuk tregojnë nëse po ndërmerren masa pas informacioneve të publikuara për “fshirjen forenzike” të kompjuterëve në PSP. Derisa prokurorët heshtin, portali i emisionit “360Gradë” që transmetohet në Alsat, zbardh hollësi të reja nga urdhri i Katica Janevës. PSP për portalin “360 Gradë” pohon se është bërë formatimi i kompjuterëve, por se procesi është ndërprerë në mënyrë që të shmangen dyshimet për çfarëdolloj motivesh të tjera për këtë veprim. Sipas informatave të “360 Gradë”, me formatimin në valën e parë janë përfshirë më shumë kompjuterë, ndërsa kompjuterët e radhës kanë qenë kompjuterët në të cilët kanë punuar prokurorët dhe hetuesit. Fshirja është bërë javën e shkuar, me siguri të premten, ndërsa pas alarmimit nga punonjësit e brengosur, operacioni nga dita e djeshme është ndërprerë. Fillimi dhe ndërprerja e “pastrimit” nuk ka mundur të bëhet pa dijeninë e Katica Janevës. Me këtë fshirje nuk janë prekur dokumentet që kanë qenë në ato kompjuterë, për çfarë demantoi edhe PSP-ja, por janë fshirë në mënyrë të pakthyeshme të dhënat e kompjuterëve, kush, kur dhe çka ka punuar në to. E njëjta do të ndodhte edhe me kompjuterët e tjerë, nëse operacioni do vazhdonte. “360 Gradë” siguroi edhe porosinë nga Sektori IT në PSP, të dërguar tek të punësuarit më 8 korrik 2019, në të cilën thuhet;

Porosia

“Koleg, filloni me rregullimin e të dhënave që i posedoni në kompjuterët dhe USB-të tuaja. Organizoni të dhënat sipas lëndëve të punuara. Fshini gjithçka që nuk ka lidhje me punën në PSP. Nëse keni të dhëna private, ruani ato në USB private. Kur të përfundojë procesi do ftoheni të bëhet formatimi i çdo kompjuteri dhe USB. Procesi do të zhvillohet me etapa”.

Ekspertë të informatikës për portalin “360 Gradë” thonë se “Vordingu” që e shfrytëzon PSP-ja, gjegjësisht “formatimi i bërë i disa kompjuterëve”, me siguri duhet të nënkuptohet se “fshirja” është bërë me të ashtuquajturën “Wiping”. Kjo është teknikë që pamundëson kthimin e të dhënave për punën e mëparshme në ndonjë kompjuter konkret, për dallim nga formatimi i zakonshëm, që mundëson ato informata sërish të kthehen madje edhe pas fshirjes.

Porosia deri tek të punësuarit është dërguar një javë para se Prokuroria publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të hapë hetime për rastin “Reket” në të cilin është e përfshirë edhe shefja e PSP-së, Katica Janeva. Megjithatë, edhe pse formalisht nuk ka hetime, kjo është periudhë në të cilën për rastin me të madhe shkruhet nëpër media, ndërsa Janeva me siguri e di se Vilma Ruskoska zhvillon procedurë parahetimore. Sipas burimeve të “360 Gradë”, thuajse asgjë nuk ndodhë në këtë plan derisa Janeva është në pushim mjekësor, ndërsa gjërat sërish lëvizën pas kthimit të saj në PSP të martën e kaluar. Kush, kur dhe bisedat e kujt i ka përgjuar ose kush, kur, çfarë materiale ka kontrolluar ose ka nxjerrë nga ndonjë kompjuter i caktuar, mund të jetë dëshmi e drejtpërdrejtë ose e tërthortë në rastin “Reket” ose në ndonjë rast tjetër të ngjashëm./Alsat