Subvencionet për makina, paqartësi tek qytetarët

Shpërndaje

Interes i lartë dhe reagime të shumta nga qytetarët pas njoftimit se qeveria do të subvencionojë blerjen e makinave. Përveç prej salloneve të automjeteve, makina me eko-standard pesë do të mund të blihen edhe nga shitësit e automjeteve, ku makinat janë sjellë nga jashtë. Ekipi i televizionit Alsat sot vizitoi disa auto- tregje ku shiten makina të përdorura.

Pronarët e këtyre tregjeve nuk donin të jepnin deklaratë, por në një bisedë joformale theksuan se kanë dëgjuar për masën, por nuk shpresojnë se kjo do t’ua rrisë shitjet. Shumica e automjeteve me standard Euro 5 kushtojnë mbi dhjetë mijë euro, dhe qytetarët shpesh kërkojnë makina më të lira.

“Ndryshimet në Ligjin për Automjete parashikojnë që qytetarët që kanë makina më të vjetra me një ose dy ose tre standarde mjedisore të zëvendësohen me standard euro 5. Kështu, qeveria planifikon të investojë në një park të ri të makinave. Ndërsa pjesa e shtetit në subvencionim do të jetë rreth 30%. Vlera e automjeteve që mund të blihen duhet të jetë deri në 12,000 euro” .

Nga Ministria e Ekonomisë shprehen se kjo masë planifikohet të zbatohet nga viti i ardhshëm. Nga dikasteri i Financave do të kërkojnë që në buxhetin për vitin 2020 të miratohen subvencionet e parapara për automobilat në lartësi prej 20 milionë denarëve, por nuk janë të sigurt sa do të jetë kjo shifër deri në fund. Synimi është që me largimin e automjeteve të vjetra të ulet ndotja e ajrit. Qytetarët në ndërkohë vlerësojnë se ndotja e ajrit nuk zgjidhet vetëm me një masë.

“Problemi qëndron në atë se populli nuk ka mjete për automobila të ri. Kush dëshiron të vozis makinë të vjetër? Secili dëshiron të vozis makinë të re për shkak të sigurisë dhe për shkaqe tjera”.

“Mendoj se ndotja nuk shkaktohet vetëm nga makinat, por se ka edhe shkaqe të tjera. Edhe poqe se ndërrohen makinat e vjetra, nuk do të ketë shumë ndryshime. Kur nuk do të digjen mbeturinat, atëherë mund të kemi ajër të pastër”.

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në intervistë për Alsat deklaroi se subvencioni i automobilit mund të arrijë deri në 30% nga vlera e tij. Por, nga ana tjetër, makina që ka standard të dobët ekologjik duhet të largohet nga qarkullimi. Përveç subvencioneve për furnizim me makina, Qeveria planifikon që subvencione të ndajë edhe për instalimin e pajisjes së gazit prej 50% nga vlera e përgjithshme. Në mënyrë shtesë, ligji i ri për makina parasheh edhe etiketat. Shërbimet e posaçme do të përcaktojnë cila makinë çfarë etiketë do të ketë, të verdhë, të kuqe apo të gjelbër, varësisht nga standardi ekologjik i automjetit.