Spasovski: Gjendja e jashtëzakonshme është mundësi për zbatim të shpejtë dhe efikas të masave për preventivë dhe mbrojtje

Shpërndaje

Në gjendje të jashtëzakonshme shteti dhe shoqëria vazhdojnë të funksionojnë, ndërsa të drejtat dhe liritë nuk kufizohen me automatizëm, theksoi kryeministri Oliver Spasovski në një shkrim të tij në Fejsbuk. Theksoi se gjendja e jashtëzakonshme të cilën e shpalli presidenti Stevo Pendarovski i jep mundësi Qeverisë që të sigurojë kushte për zbatim të shpejtë dhe efikas të gjendjes shëndetësore të qytetarëve, si dhe kushte për biznesin dhe ekonominë të funksionojnë normal.

“Ky vendim nuk nënkupton kurrfarë ngadalësimi të transportit të lirë, e as në pjesën e nevojave ushqimore të qytetarëve, e as në pjesën e furnizimit të spitaleve dhe barnatoreve. Nesër gjithçka vazhdon të funksionojë në jetën e përditshme njëjtë si edhe sot”, shkroi Spasovski.

Nuk ka vendim për restrikcione të reja në lëvizje dhe kryerjen e obligimeve profesionale të qytetarëve. Përjashtim nga kjo, tani për tani, janë vetëm rajonet e komunave Dibër dhe Qendra Zhupë, sepse ato rajone janë përcaktuar si vatra të virusit dhe atje ka gjendje krize. Do të bëjmë gjithçka që kjo situatë sa më shpejtë që është e mundur të ndryshojë për mirë.

Mbeten masat me të cilat janë ndaluar të gjitha tubimet publike në vende të hapura dhe objekte të mbyllura. Tani do të përforcohen kontrollet për zbatimin e këtyre masave për të mirën e qytetarëve.

Për secilin vendim të ri që do të sillet dhe që ka lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme opinioni do të informohet në bazë ditore, ndërsa për zbatimin e atyre vendimeve do të sillen udhëzime adekuate dhe në bazë të kësaj do të jetë shumë e qartë se kush dhe si duhet të sillet.

Çfarë vendimesh do të sillen, do të varet nga ne. Nga ajo se si sillemi. Nëse respektojmë masat, nëse i ndjekim rekomandimet, për mbrojtjen e familjeve tona dhe për mbrojtjen tonë personale dhe për mbrojtjen e rrethinës në të cilën jetojmë, atëherë do të kalojmë shumë më lehtë, porosit kryeministri Oliver Spasovski.