REAGIM: VEZËT E QYQES NUK ÇELIN SHQIPONJA

Shpërndaje

Reagim: Kur agjenturat shkelin në minat e veta

Shkruan: Abdulla Mehmeti

VEZËT E QYQES NUK ÇELIN SHQIPONJA

Në lidhje me shkrimin sensacional: Lista ,,TOP SEKRET” e agjentëve Serb me kombësi Shiqiptarë të infiltruar në diasporën shqiptare!?”, të publikuar në disa portale në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase, si edhe nga disa grupe joformale në rrjetet sociale, lista e disa prej të cilave është shënuar në vazhdim të këtij reagimi.

Në kohën kur pandemia e ka mbërthyer botën në ankth, pasiguri e frikë, siç e kanë denoncuar edhe mediet më të mëdha të botës, gjithnjë e më tepër vjen në rritje propaganda dhe lufta hibride e shërbimeve ruse dhe satelitëve të saj në rajon dhe në hapësirën evropiane.

Nuk duhet shumë dijeni nga ndjekësit e medieve dhe lexuesit shqiptarë, që të vërejnë se kjo fushatë po përhapet në format më perfide edhe ndër qarqe shqiptare, mediet komerciale dhe rrjetet në shërbim të këtyre agjenturave, të cilat nuk zgjedhin mjete dhe metoda për t’i penguar zhvillimet pozitive në botën shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, trojet tjera etnike dhe në Mërgatën shqiptare në SHBA dhe Evropë.

Kjo propagandë armiqësore, denigruese, perfide, përmes përçarjes, shantazheve dhe kërcënimeve mundohet t’i arrijë objektivat e veta, për ta promovuar të “vërtetën” e saj, duke përzier ngjarje dhe personalitete, vende dhe periudha të ndryshme kohore, duke barazuar male dhe hale, të cilat as nuk lidhen as nuk shkojnë bashkë, përveç në fantazinë e sëmurë të aktorëve të kësaj propagande, të cilët mundohen të çelin shqiponja nga vezët e qyqes, kinse në mbrojtje të shqiptarëve, të kombit dhe fesë.

Si do të shpjegohej ndryshe kjo fushatë, përderisa njëkohësisht vërehen përpjekje të gjithanshme për tensionimin e situatës në Tiranë e Prishtinë, nga të njëjtët aktorë, rrjetet, individët dhe mediet e njëjta, duke prodhuar lajme “sensacionale” dhe “ekskluzive” me nxehtësi të shurrës së pulës, për kinse tradhtinë e madhe të qindra intelektualëve shqiptarë, akademikëve dhe veprimtarëve, në atdhe e në mërgatë, të cilët ky grup i paska zbuluar se janë në shërbim të interesave sllave, serbe dhe ruse, duke e saktësuar lidhjen e tyre me Qendrën ruse të spiunazhit në Nish, kinse përmes Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork, qenkan infiltruar në Mërgatën shqiptare, sidomos ndër shqiptarët në SHBA, përkatësisht në Nju Jork.

Në momenti kur në Kosovë paraqitet një organizatë kinse ushtarake, me emrin “Garda Vullnetare Shqiptare”, e cila i ka kërcënuar me jetë edhe drejtuesit kryesorë të Qeverisë në detyrë të Kosovës, edhe lajmet “sensacionale” dhe “ekskluzive” kundër qindra akademikëve shqiptarë duhet të kuptohen si bisht i zgjatur i këtyre qarqeve, pre e të cilave edhe mund të bie ndonjë shqiptar naiv dhe i painformuar, duke mos i njohur mjaftueshëm ngjarjet dhe personalitetet, zhvillimet në botën shqiptare, sidomos të tridhjetë viteve të fundit.

Në shumë media gjatë tridhjetë viteve të tranzicionit janë publikuar me dhjetëra lista të “bashkëpunëtorëve shqiptarë të UDB-së”, kush ka mundur ka denoncuar secilin, me fakte dhe pa fakte. Në këto lista nuk kanë munguar edhe figura të njohura si bashkëpunëtorë të UDB-së ish Jugosllave, por edhe intelektualë të shquar, të cilët kanë qenë në anën e kundërt të medaljes dhe viktima të këtyre agjenturave.

Përderisa Këshilli i Evropës i obligon shtetet anëtarë, përmes dy Rezolutave, për dënimin e krimeve të ish-regjimeve komuniste, as në Tiranë, në Prishtinë, apo Shkup, ky proces nuk është kryer. Këtë e kam thënë zëshëm, me vite të tëra dhe unë, në paraqitjet publike dhe përmes qindra shkrimeve e analizave të publikuara deri më sot.

Derisa nuk fillon dhe kryhet ky proces me transparencë dhe në rrugë zyrtare, nga institucionet e shteteve shqiptare, siç është kryer në disa shtete të tjera të ish bllokut socialist, si në Gjermani, Poloni apo Rumani, edhe më tej rrjetet e agjenturave të huaja do të orvaten të çelin “shqiponja të bardha sllave” nga vezët e qyqeve, dhe nga mendja e sëmurë e qyqarëve të shtirur si atdhetarë, ndërsa krye-agjentët e krye-tradhtarët do të vazhdojnë të sajojnë lista të “spiunëve” për lexuesit e painformuar shqiptarë, për ta larguar vëmendjen nga veprimtaria e shërbimeve dhe agjentëve të vërtetë, nga krimet dhe tradhtitë e po të njëjtëve edhe gjatë periudhës së tranzicionit.

Në vazhdim, lexuesit mund t’u referohen këtyre portaleve dhe grupeve në rrjetet sociale, secili për të vlerësuar se në çfarë derexhe ka rënë bota shqiptare, kur shumë portale në gjuhën maqedonase nguten t’ua ofrojnë lexuesve të tyre “zbulimet gjeniale” dhe “patriotizmin” e qyqeve që mendojnë se bota fillon dhe mbaron te hunda e tyre.