Protestë ndaj përmbaruesve “Stop vjedhjeve”, paraqiten borxhe inekzistente nga banka

Shpërndaje

Janë mbledhur përpara Ministrisë së Drejtësisë sepse mendojnë se shteti dhe institucionet shtetërore po u bëjnë padrejtësi.

Shoqata civile “Stop vjedhjeve” protestoi kundër përmbaruesve dhe organeve gjyqësore.

Protestuesit kërkojnë që përmbaruesit të punojnë në kuadër të gjykatave, por edhe veting për të gjithë gjykatësit, duke i akuzuar të njëjtit si kriminelë.

“Jetojmë në ferr, në Komedinë Hyjnore të Dante Aligerit, pra bëhet fjalë për krim të rëndë, i cili realizohet përmes përmbarimit të ripërsëritur, përmes urdhërpagesave të ripërsëritura në noteri, edhe pse për një kohë të caktuar, respektivisht disa muaj, kishte moratorium shkaku i pandemisë, ai u vazhdua. Domethënë çdo ditë po më telefonojnë njerëz të cilët janë deri në fyt në borxhe. Pra, bëhet fjalë për urdhërpagesa të fryra për 10 apo 20 fish”, tha Ana Gligorova- “Stop vjedhjeve”

Qytetarët drejtuan edhe ankesa të tjera.

“Dua që në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i cek gjykatësit e atëhershëm supremë, të njohur si “gjykatës svarovski”, gjykatës kriminelë, të cilët kishin dy revizione krejtësisht të ndryshme. Revizioni i parë në vitin 2001, e i dyti në 2013-tën, të cilat janë bërë me porosi nga ish-regjimi diktator-zhvatës në krye me Gruevskin, Mijallkovin dhe Llatasin…”, tha Goran Novakovski – “Stop vjedhjeve”

“Ekziton krim i organizuar ndërmjet institucioneve. Kërkesa fiktive të falsifikuara në këtë shtet”, deklaroi Darko Popovski – “Stop vjedhjeve”.

Nga kjo shoqatë qytetare thanë se po paraqiten edhe borxhe nga banka që nuk ekzistojnë.

“Nëpërmjet bankave të cilat po paraqiten papritur, banka që nuk punojnë më, si për shembull Banka Maqedone, dhe Alba Banka, të cilat nuk ekzistojnë, pas 15 vitesh paraqiten borxhe të paimagjinueshme me shuma të stërmëdha”, deklaroi Ana Gligorova – “Stop vjedhjeve”.

Pasi përfunduan fjalimet, me transparentë në duar, në këmbë e me makina, qytetarët u drejtuan për në godinat e gjykatave.

“Stop vjedhjeve” thonë se për shkak të këtyre ankesave deri te Oda e avokatëve dhe Ministria e Drejtësisë kanë dorëzuar iniciativë për ndryshimin e ligjit të gjykatësve dhe prokurorëve, për arsye siç thonë, edhe ata të jenë të barabartë përpara ligjit./TV21