Meta: Po fitoi Rama, unë do të dal në bulevard…

Shpërndaje

Presidenti Ilir Meta u shpreh mbrëmjen e sotme se nëse Edi Rama ditën e diel do të fitojë 71 mandate “në mënyrë demokratike”, nuk do t’ja japë dekretin për të formuar qeverinë, por do i dërgojë dorëheqjen e tij në zarf dhe do të dalë nga zyra e kreut të shtetit në bulevard duke e vijuar betejën në opozitë.

Arsyeja? Kreu i shtetit tha te SyriTv se nuk ka cfarë të bëjë edhe një vit më shumë në Presidencë nëse shqiptarët i besojnë mandatin e tretë radhazi Edi Ramës dhe për këtë arsye do të japë dorëheqjen.

“Unë po bëj cdo gjë që zgjedhjet të jenë sa më të ndershme, deri tani janë cënuar rëndë vetëm nga Edi Rama, askush tjetër, unë apeloj nga ky moment, sot në 12:00 deri në zgjedhje të gjithë të reflektojnë, që shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të dielën, që të kemi një proces votimi të lirë dhe numërimi me integritet. Unë nuk pres zgjedhje daneze, aq më tepër nga një kryeministër si Rama.

Nëse fiton në mënyrë demokratike, unë atij firmë për kryeministër nuk i jap, por një dorëheqje ja çoj, merre bëje edhe presidentin ti. Unë po ta jap edhe presidentin, unë po dal në bulevard, unë e respektoj vendimin e popullit. Nëse populli i jep 71 mandate unë dal në bulevard dhe iki. Çfarë do të bëj unë një vit më shumë në Presidencë, çfarë do të bëj?” tha Meta.